Albert Podell, një ish-redaktor i revistës Playboy, ka bërë atë që të gjithë ne fantazojmë të bëjmë por pak e arrijmë; ka udhëtuar në të 196 shtetet e Tokës.
Iu deshën 50 vjet. Gjatë rrugës u sulmua nga një buall uji, theu disa kocka, hëngri ushqime të çuditshme dhe u arrestua, u grabit dhe gati e varën. Por ia doli të mbijetojë për ta rrëfyer aventurën në një libër “Rreth botës për 50 vjet: Aventura ime në çdo vend të botës”.

Harold Stephens,  bashkudhëheqësi i Albert Podell-it në Ekspeditën rekord nëpër botë, ulur mbi një deve me emrin  Kanada, në Giza, Egjipt, në qershorin e vitit 1965. Udhëtimi shënoi rekord si më i gjati, i pandërpreri udhëtim automobilistik rreth botës.


Nga shtëpia  e tij e Nju Jorkut, ai flet se çfarë e përkufizon një shtet, duke theksuar vendin më të mirë ku të hash mi të pjekur në bërbjeku, shpjegon se pse telefonat inteligjentë po i bëjnë të rinjtë më pak aventurierë dhe rrëfen se pse vendi i tij i preferuar mbetet ShBA.Po çfarë është një shtet? Konventa e Montevideos e vitit 1933 mbi  të Drejtat dhe Detyrimet e shteteve rendit 5 kritere  për të qenë një shtet. Por, sipas Podell-it ajo që ndodh sot është se çfarë bien dakord pesë superfuqitë për të përcaktuar një shtet. Të gjithë  dinë se të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara, të 193 prej tyre, janë shtete. Shumica e njerëzve gjithashtu mund ta dinë se Tajvani është një shtet, por fatkeqësisht jo anëtar i Kombeve të Bashkuara, sepse është i bllokuar nga Kina. Kosova gjithashtu është njjë shtet por jo në OKB, sepse është bllokuar nga Rusia.  Vatikani, pavarësisht përmasave të vogla është një shtet i njohur. Megjithatë Selia e Shenjtë ka vendosur se mund të operojë më mirë në diplomaci nëse mban statusin e vëzhguesit në OKB , në vend të anëtarësisë së plotë. Kështu që bëhen 196 shtete.
 
Podell vjen nga një familje prej Bruklinit, e cila kurrë nuk kishte udhëtuar më larg sesa Bostoni. “Ndjeva se kishte një mënyrë më interesante për të jetuar sesa të mos udhëtoje kurrë. Nisa  të koleksionoja pulla poste kur isha 6 vjeç. Isha i magjepsur pas atyre copëzave me letra të ngjyrosura dhe vendosa se doja një për çdo shtet.  Magjepsesha se nga vinin ato artefakte, kafshë të ndryshme dhe kultura. Më pas, rreth moshës 8 vjeçare nisa të lexoja National Geographic. Dhe më mbërtheu ideja e vendeve të huaja. Thashë me vete : “Duhet t’i shoh të gjithë ato vende”.

Më  1987-ën, Podell mori me qira një mbajtëse  kanoesh  dhe udhëtoi përgjatë lumit të Amazonës. U ndal në një fshat, 160 kilometra larg Iquitos,  Peru.


E nisi jetën prej udhëtari me një maratonë me makinë. “Kam qenë redaktori i një reviste  me emrin “Argosy”, një revistë meshkujsh mbi  aventurat, gjuetinë dhe peshkimin. Kam dërguar gazetarë për gjithfarëlloj artikujsh: nga slitat e qenve në Groenlandë,  me biçikleta nga Kajro në Kejptaun. Pas tre a katër vjetësh thashë : “Mjaft me këto gjëra të deleguara. Duhet të dal nga këtu dhe ta bëj vetë”. Kështu bashkova forcat me gazetarët tanë. Rekrutuam edhe tre njerëz të tjerë dhe formuar atë që  e quajta Ekspedita rekord trans botërore. Ideja ishte të vendosnim një rekord për udhëtimin më të gjatë të pandërprerë automobilistik nëpër botë”.

Udhëtime të tjera kanë marrë një trajektore nga Parisi në Pekin, Por toka fryhet më shumë në Ekuator, kështu që besuam se  po të ngisnim afër Ekuatorit, mund të vendosnim një rekord të ri për largësinë.
“Kemi lundruar në Cherbourg, në  Francë, kemi shkuar në jug në Marok, dhe kemi ngarë makinën  përqark Afrikës së Veriut.
 
 
Qëndruam sa më pranë Ekuatorit aq sa mundeshim, pavarësisht luftërave dhe incidenteve të tjera që na ndërhynin. Na mori më shumë kohë se e kishim menduar. E kisha vlerësuar gjashtë deri tetë muaj, por na mori 581 ditë, dhe vetëm dy prej nesh e përfunduam-bashkëpunëtori im Steve dhe unë. Një shok na u vra nga vietkongët në Kamboxhia dhe dy të tjerët u prekën nga sëmundjet tropikale dhe u tërhoqën.

I pyetur se cilat janë ndryshimet më të mëdha në botë që ai ka vënë re në  50 vjet, Podell përgjigjet: “Kam vënë re se është bërë më e vështirë  për këtë lloj udhëtimi. Kur e bëmë udhëtimin tonë rreth botës në  1965-66, komentuam se kish qenë më e vështirë për ne sesa për Marco Polo-n për të kaluar nëpër Kinë, pavarësisht kushteve të përmirësuara të rrugëve dhe faktit që kishim një makinë  4 x 4. Në këta 50 vjet është përkeqësuar edhe më. Le ta zëmë se do të lëvizësh me makinë. Nuk besoj se mund të mbijetoje në Siri apo Irak sot, me ISIS. Nuk mendoj se mund ta kalojë Afganistanin. Harroje pastaj Jemenin. Sudani i Jugut, si shteti më i ri në botë, po shkon drejt ferrit. Somalia është ende vetëm sa  ta cekësh e të ikësh menjëherë. Është vend i trazuar.

Megjithëse i ka rënë botës përqark, vendi i tij i preferuar mbetet ShBA. “Kemi peizazhet më spektakolare në botë: pyjet e kuq, Parkun Kombëtar Akullnajor, Malin Rainier, shtigjet me gjethnaja të New England-it. Jemi shoqëri heterogjene. Në Nju Jork mund të shohësh njerëz të çdo race, kredoje dhe ngjyre në botë, të gjithë kuptohen mes tyre. Por nëse do të zgjidhja vende, do të zgjidhja Nepalin dhe Zvicrën për peizazhin. Për ushqimin, do të zgjidhja Vietnamin, Tajlandën dhe Francën. Për kulturën do të zgjidhja Francë, Angli, Spanjë dhe Egjipt.


Kriteret për të vizituar një shtet sipas Podell

1.Duhet të  jetë një shtet i njohur nga konventat ndërkombëtare, në kohën kur mbërrin atje. 

2. Duhet të kesh viza ose të hysh në mënyrë të ligjshme.

3. Duhet të marrësh një vulë në pasaportë.  

4. dhe 5. Duhet të shkosh të paktën në kryeqytet, të qëndrosh të paktën  24 orë dhe nëse është e mundur ta përshkosh shtetin në një drejtim.