India i ka ndaluar qytetarët e saj të vizitojnë Ishullin e Sentinelit të Veriut apo edhe përpjekjet për të hyrë në kontakt me njerëzit që jetojnë atje. Të shkosh brenda tre miljeve rreth ishullit është e jashtëligjshme. Sentinelezët njihen për dhunën dhe mungesën e dëshirës për të komunikuar me të jashtmit. Pak dihet rreth ishullit në formë katrori ku ata jetojnë, kryesisht për shkak se është i mbuluar me pyje.
 
Dy peshkatarë që përfunduan në brigjet e ishullit më 2006 –ën u sulmuan menjëherë dhe u vranë nga fisi. Kur helikopterët e Rojës Bregdetare Indiane fluturojnë mbi kokat e tyre si në misione njohjeje apo hedhje të paketave të ushqimit për njerëzit, ndeshen me shigjeta dhe gurë.
 
Askush nuk e di me siguri sesa njerëz banojnë në ishull; vlerësohen të jenë nga 50 deri në afro 400 njerëz. Kanë jetuar në izolim në ishull për më shumë se 60 mijë vjet , sipas antropologëve.

Por sipas një grupi të të drejtave fisnore, sentinelezët janë në rrezik shfarosjeje. Survival International e ka emërtuar fisin si grupin më të brishtë të njerëzve në botë duke qenë se nuk kanë ndërtuar imunitet për sëmundjet e zakonshme si gripi, përshembull.

Sipas grupit, sa më shumë t’i afrohen ishullit peshkatarë të jashtëligjshëm apo guximtarë kokëkrisur në kërkim të mbetjeve të anijeve të mbytura, aq më shumë rrezikojnë shëndetin e fisit. Disa antropologë kanë shprehu shqetësim rreth bumit të turizmit në ishujt fqinj Andaman dhe Nicobar, pasi kjo gjë mund t’i joshë njerëzit më pranë ishullit Sentinel.

“Fiset e Mëdha Andamanese të ishujve Andaman të Indisë u asgjësuan nga sëmundjet kur britanikët kolonizuan ishujt më 1800 –ën”, ka thënë në një deklaratë, drejtori i Survival International, Stephen Corry. “E vetmja mënyrë që autoritetet Andamanese të parandalojnë asgjësimin e një tjetër fisi është të sigurojnë se Ishulli i Sentinelit të Veriut është i mbrojtur nga të huajt”.