Vetëm pak kilometra larg nga Valladolid-i, në gadishullin Yucatan gjendet një peizazh plot me gropa natyrore të madhësive të ndryshme, që çojnë tek uji i kthjellët nëntokësor, me ngjyrë të bruztë, të cilin dikur  banorët e fisit Maja e konsideronin të shenjtë.
  

Përveç pamjes mbresëlënëse, vrimat natyrore në këtë rajon të Meksikës kanë edhe një histori interesante. Majat, populli që jetonte në këtë gadishull para kolonializmit, besonin se këto gropa të  çonin në jetën e përtejme, prandaj për këtë arsye ata hidhnin në to gjësende me vlerë.
 

Sipas disa legjendave thuhet se ata flijonin edhe njerëz. Meqë arkeologët në fillim të shekullit të 20-të kanë hulumtuar pothuajse të gjitha këto vrima natyrore dhe tunele, janë shumë të vogla gjasat për të gjetur ndonjë objekt të vlefshëm të lënë nga Majat.
 
Por në vend të kësaj, këtu mund të përjetohet diçka edhe më e mirë noti në ujin nëntokësor të kthjellët si kristali, të rrethuar nga stalaktite të bukura dhe rrezet e shndritshme të diellit të cilat depërtojnë nëpërmjet hapjeve në sipërfaqe.