Një spitullaq anglez me një trashëgimi të bollshme nga industria hekurudhore, Edward James,  në mënyrë të pasionuar koleksiononte art surrealist, orkide të rralla dhe papagaj. U dha pas misticizmit, u fërkua me Salvador Dali-në dhe Aldous Huxley-n dhe argëtohej duke veshur ponço pa pantallona. Për ata që e njihnin, James ishte “i fundmit i ekscentrikëve të mëdhenj”. Natyra e huaj e James-it, sidoqoftë është mbërthyer më së miri në veprën e tij më të madhe: “Las Pozas”, një kopsht skulpturash fantastik, thellë në xhunglën meksikane.
Punuar për më se 22 vjet, ajo që u  quajt “Ksanaduja surrealiste” do të bëhej një nga kuriozitetet më të mëdha të globit. Las Pozas nuk është vend aq i thjeshtë për t’u gjetur.

Pelegrinazhi kërkon tetë orë me makinë nga qyteti i Meksikos –pjesa  më e madhe me rrugë të pashtruara e të këqija – në një pyll tropikal me gropa uji të bruzta dhe pemë me lule të ngjitura,  të njohura si framboyanes (pompoze). Brenda terrenit, 36 skulptura çimentoje ngjiten lart në qiell me florën dhe faunën e peizazhit.

Këto janë shkallë që të çojnë vetëm në re: pemishte me bambu të rreme të gdhendura prej gurësh; arabeskë që ngjiten disa kate lart si gjethet e mamutëve dhe një strukturë fluturuese e titulluar “La Casa de Tres Pisos que Podrían Ser Cinco” (Shtëpia me tre kate, të cilat mund të ishin pesë). Peizazhi lexohet si një tablo e egër surrealiste e ardhur në jetë – dhe kjo ishte, të paktën pjesërisht, qëllimi i James-it.

“Nëse do pyesja zemrën dhe ndërgjegjen, nxitja pas ndërtimit të një kulle, duhet ta pranoj ishte megalomani e pastër”, thoshte James në një dokumentar të vitit 1978, rreth jetës së tij. Ai i referohej strukturës më spektakolare të Las Pozas: një sajesë me shumë nivele shkallësh pluskuese, harqe që ngjajnë me dredhëza të trasha pyjesh dhe kupla të mbushura me petale gjigante gurësh.

 James i zbuloi mrekullitë e xhunglës meksikane gjatë një periudhe në Los Anxhelos dhe më 1944-ën, me ndihmën e një udhërrëfyesi vendas dhe një miku Plutarco Gastelum, bleu një plantacion kafeje jashtë funksionit, në qytetin e vogël të Xilita-s, një udhëtim prej 8 orësh në veri të qytetit të Meksikos. Erdhi me një zonë rrethuese xhungle: dega ideale për koleksionin në rritje të orkideve dhe zogjve, të James-it. Ai ndërtoi një shtëpi të vogël në terrenin e blerë ku mund të shkruante dhe punësoi vendas që ta ndihmonin të kujdesej rreth pronës.

Vetëm 20 vjet më vonë, më 1962 –shin, La Pozas do të niste të merrte formë si një Shangri-La surrealiste që ende qëndron sot e kësaj dite. Pas një stuhie të rrallë bore ( që vendasit e quajtën hi i bardhë” , që vrau të gjithë orkidetë ët James-it, ai u betua se do të krijonte një kopsht të pavdekshëm- me çimento. James-i donte “diçka që të mos vritej nga moti i frikshëm”- thoshte ai. “Vetëm atëherë do të nis të ndërtoj”.
Peizazhi magjik i florës skulpturore që u shumëfishua aty në harkun e 22 viteve do të bëhej një strehë si për komunitetin vendas ashtu edhe për krijuesit nga e gjithë bota. Mikesha e ngushtë i James-it, piktorja surrealiste Leonora Carrington, bënte udhëtime të shpeshta për frymëzim nga strukturat e pamasa prej guri që shpërbenin si një arratisje drejt xhunglës së harlisur, si edhe pushimi fantastik i vetë mendjes së James-it.
   

Vdekja e James-it më 1984-ën ndërpreu projektin. Por megjithëse nuk e plotësoi çdo strukturë që kish vendosur të ndërtonte ai kish arritur synimin për të ngritur Edenin e tij. “Kam parë aq bukuri sa një njeri rrallë ka parë; ndaj do të jem mirënjohës po të vdes në këtë dhomë të vogël, rrethuar nga pyje, atë ngrysje të gjelbër të pemëve , vetë ngrysjen time, dhe tingullin, tingullin e së gjelbrës”- shkruante ai.
Qysh atëherë, papagajtë e James-it fluturuan në xhungël dhe ponçot e tij pushojnë diku. Shpirti ekscentrik dhe bujar i James-i, sidoqoftë jeton në strukturat e larta që përbëjnë Ksanadunë e tij surrealiste, mbase veprën e tij më të madhe të patronazhit. Nuk është vetëm një vend pelegrinazhi artistik për afro 80 mijë vizitorët çdo vit, por një pus frymëzimi për shumë, gjithashtu. “Ata i bëjnë të gjallët të vijnë në jetë”, mendonte James-i për Surrealistët dikur “Në një mënyrë që ëndrrat mund të jenë ndonjëherë më të gjalla se realiteti”. E njëjta mund të thuhet për James-in dhe oazën e tij në natyrë.

*Alexxa Gotthardt/ Artsy