Një studim i publikuar këtë javë nga një ekonomist mjedisor në Universitetin e Stanfordit ka investiguar marrëdhënien mes kushteve të motit dhe emocioneve që njerëzit shprehin në mediat sociale. Sipas studimit, njerëzit priren të përdorin më shumë fraza pozitive në mediat sociale, kur moti është më i këndshëm. Moti i keq –qofshin temperaturat ekstreme, shiu apo lagështia- shkakton efekt krejt të kundërt.
Studimi shqyrtoi 3.5 miliardë postime nga Facebook dhe Twitter nga miliona përdorues përqark 75 zonave të ndryshme metropolitane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kërkuesit matën pozitivitetin apo negativitetin e secilit postim dhe e krahasuan me kushtet lokale të motit.
Kërkuesit dolën në përfundim se jo vetëm që moti ka një ndikim në humor, por që ai ndikim ishte “statistikisht domethënës” dhe e manifestonte veten edhe kur përdoruesit ishin duke folur për diçka tjetër në vend të motit.
Për ata që e gjejnë veten duke postuar negativisht në mediat sociale, mund të jetë koha për një arratisje në vise të ngrohta. Ose ndoshta një shpërngulje.
Në ShBA, Los Anxhelosi udhëhiqte tufën me shumicën e ditëve të këndshme (183) në vit, sipas të dhënave qeveritare të motit. Në fakt, e gjithë Kalifornia është fantastike për ata që kërkojnë mot të mirë gjatë gjithë vitit. Të tjerë fitues ishin San Diego dhe San Francisko.
Për ata që duan të udhëtojnë ndërkombëtarisht për mot më të mirë, Las Palmas në Gran Kanaria, Spanjë, është i renditur vazhdimisht në majë të qyteteve më të këndshëm të botës për numrin më të madh të ditëve të bukura.