Tutte le strade portano a Roma — Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Kjo shprehje e lashtë italiane, nëse është e vërtetë, ju bën që herët a vonë ta vizitoni Romën. Vendasit janë mësuar me turistët, të cilët shihen prej tyre si të ishin tipologji krejt tjetër e qenieve njerëzore. Epo a nuk është e vërtetë se të gjithë ndryshojmë pak kur jemi me pushime në një vend tjetër?
Romanët janë mikpritës , por është me vend të kini kujdes ndaj disa gjërave që për vendasit janë të papranueshme. Ideja kryesore është “Mos bëni atë që romanët vetë nuk e bëjnë!”. Kjo për shkak se disa zakone turistësh janë argëtuese, por disa të tjera mund të jenë ofenduese. Ja disa sugjerime!

1.    Mos hidhni monedha në çdo shatërvan që shihni. Monedhat hidhen vetëm në Fontana di Trevi!

Kur jeton në Romë, është lehtë të shohësh monedha në thuajse çdo shatërvan. Kjo i bën njerëzit të buzëqeshin, sepse çdo vendas e di se i vetmi ku duhet të hidhni monedha dhe të mendoni një dëshirë është shatërvani i Trevit dhe vetëm ai!

2.    Mos merrni shumë bileta një rrugëshe në transport publik. Blini një abone 3, 7 apo 30 ditore, më mirë!

Biletat e transportit publik kushtojnë afro 1 euro dhe ju lejojnë vetëm një udhëtim në metro apo një udhëtim 75 minutash në autobus. Nëse do e përdorni shumë transportin publik, më mirë bli një abone për ta përdorur në autobusë, metro dhe tramvaje sa të doni. Për 3 ditë kushton 11 euro, për 7 ditë kushton 16 dhe për të gjithë muajin 30 euro. Duhet ta bëni të vlefshme në përdorimin e parë në një prej automateve të verdhë në hyrje të stacioneve të metrosë ose në autobusë dhe mbajeni me vete gjatë gjithë kohës, për t’ia treguar kontrollorit të biletave nëse është nevoja.

3.    Mbaji ngjitur gjërat e tua! Mos i mbani paratë në xhepin më të aksesueshëm apo në çantën e shpinës!
Nëse është zakoni juaj, xhepistët në Romë do e pëlqejnë shumë këtë. Është një rregull bazë. Mbaji paratë dhe dokumentet në çanta në ndara dhe kontrolloji herë pas here. Mos fut gjëra me vlerë në xhepat e pasmë. Mos lë asgjë vetëm qoftë edhe për një minutë. iPhone-ët  dhe MP3 janë artikujt më të vjedhur ndaj kujdesuni për to.

4.    Shatërvanët nuk janë për të larë këmbët dhe nuk mund t’i zhytësh as  për një minutë! 

Roma është e nxehtë, sidomos në verë dhe këmbët mund të lodhen nga të ecurit mbi kalldrëme përvëlues, sanpietrini tipikë të Romës. Ndaj dëshira normale është të fusni këmbët në ujë të freskët, por duhet t’i rezistoni tundimit në pragun e shatërvanit pasi kjo është e ndaluar dhe vendasve u duket mungesë respekti. Mund të përdorni shatërvanët e vegjël publikë për të pirë ujë që quajtur “nasoni”. Është e lehtë t’i gjesh dhe askush nuk të fajëson për këtë.

5.    Shmang menytë e turistëve dhe ha ushqim për të qenë
Kjo duket e lehtë, edhe pse ka shumë kurthe me meny turistike në qendër të Romës, aq shumë sa nuk është aq e lehtë t’i shmangësh, sidomos kur nuk di ku të shkosh. Nëse dëshiron një vakt të shpejtë, është më mirë të hidhni një sy në supermarkatë apo në një treg të hapur, ku mund të gjeni përbërës të freskët për në panine dhe ca fruta, tamam si një vendas.

6.    Mos u shpërqendro!
Gjithmonë ki kujdes nga xhepistët, sidomos kur udhëton në autobusë, metro dhe transport publik, por edhe kur je në radhë për diçka apo po psonis në vende të populluara. Disa linja autobusësh janë të famshme për numrin e lartë të grabitjeve që ndodhin çdo ditë. Për shembull, linja 64 është një prej tyre. Hajdutët nuk para duken të çuditshëm, shumica ngjajnë normalë dhe miqësorë, por janë mashtrues ekspertë. Mund të të përplasin apo të të qaset dikush duke folur në rrugë apo t’ju shtyjnë në radhë apo kur po ble në një kioskë. Një hile që funksionon është ta mbani ngjitur çantën, nëse e keni në shpinë kalojeni përpara. Edhe vendasit e bëjnë këtë.

7.    Shmang hyrjen në kishë, në një vend kulturor apo muze në një veshje shumë verore apo të zbuluar
Është ide e mirë të marrësh një shall apo ndonjë veshje tjetër në çantë, në mënyrë që ta hedhësh supeve kur viziton këto ndërtesa. Ka një kod veshjeje për shumë prej tyre dhe shpesh kujdestarët nuk ju lejojnë të hyni nëse nuk jeni mbuluar mjaftueshëm. Kontrolloni kanotierat, pantallonat e shkurtra dhe fundet; nëse zbulojnë shumë lëkurë, ka gjasa t’ju ndalin në hyrje. Kjo aplikohet si për burrat ashtu edhe gratë.

8.    Mos i lër  mbeturinat në rrugë, në koshin e biçikletës së dikujt apo në shkallët e godinave!
Nëse nuk gjeni një kosh pranë jush, mbajeni mbetjen në një qese plastike apo në xhepa, derisa të gjeni në. Roma është qytet aq i bukur, por shpesh vizitorët nuk kujdesen mjaftueshëm për ta mbajtur të pastër. Shumë vende janë të ndotura nga mbetjet siushqime, kanoçe, letra apo çadra të thyera. Romanët pyesin hidhur nëse turistët e bëjnë këtë në qytetet e tyre...!

9.     Nuk ke pse paguan për gjithçka që viziton. Ka plot vende falas!

Ndërsa është e vërtetë se shumë muze dhe pallate ia vlejnë çmimin e iletës, është gjynah të kufizoheni vetëm tek ato vende. Mblidhni informacion të dobishëm përpara se të shkoni në Romë. Për shembull, Panteoni është falas kurse Muzetë e Vatikanit janë falas të dielën e fundit të çdo muaji. Veç kësaj, është këndshëm të viziton edhe vende jo aq turistike. Do të keni një shije të Romës së vërtetë. Si thoni të bridhni nëpër rrugicat e Romës apo të shëtisni në lagjet e bukura si Trastevere, Testaçio apo Coppedé?Për më tepër bazilikat mund të vizitohen pa pagesë dhe kanë plot vepra arti. Parqet e mëdha të qytetit , të quajtura Vila, si Vila Pamfili, Vila Borgese, Vila Ada apo Torlonia janë falas gjithashtu. Do të doni të vizitoni edhe Parkun Appia Antica, me këmbë ose edhe me biçikletë.


10.    Mos prano lule, lodra apo gjëra të tjera nga të huajt. Refuzo dhe vazhdo të ecësh!

Do të takoni njerëz që do përpiqen t’ju mashtrojnë, duke vendosur gjëra si trëndafila, lodra të vogla apo edhe piktura shenjtorësh në duar si të ishin dhuratë apo hajmali në Itali apo sepse kanë nevojë për ndihmë apo se ti je shumë e bukur. Pastaj do ju kërkojnë para dhe do ju fusin në telashe nëse nuk u jepni disa monedha. Një “no, grazie!” në këtë rast është përgjigja më e mirë. Nëse afrohen vazhdoni të ecni dhe ruani çantat. Ndonjë mund t’ju hutojë e më pas t’ju vjedhë.

EXTRA: Mos harroni siguracionin e udhëtimit përpara se të niseni