Dielli ka nisur të tretet në detin e përskuqur, një lajmërim alarmi se kemi ndenjur pak si shumë në xhiron çiklistike rreth ishullit japonez Ninoshima në Gjirin e Hiroshimës. Të pasigurt rreth nisjes së tragetit për në sterrë, u ndalëm në një bar anës rruge për të pyetur. Kjo tërhoqi vështrime të shqetësuara: barka e fundit po nisej.
“Mund t’ia dilni nëse i bini shkurt”, tha një burrë, duke dalë jashtë për të treguar një rrugë të ngushtë në mal. Me mbrëmjen që binte shpejt, patëm dyshime të mëdha, por çikluam deri në kodër, megjithatë. Duke parë rrotull, u habitëm kur pamë mikun e sapo gjetur që po ecte në kodër pas nesh, me një largësi diskrete për t’u siguruar se nuk kishim humbur, për t’u kthyer më pas kur porti u shfaq poshtë nesh. Ky veprim i zakonshëm mirësie na bëri të arrinim në traget pak minuta para se të nisej.

Kjo ishte përvoja jonë e parë me ometenashin, që shpesh përkthehet si “mikpritja japoneze”. Në praktikë, kombinon mirësjelljen e këndshme me një dëshirë për të ruajtur harmoninë dhe për të shmangur konfliktin.
Omotenashi është mënyrë jetese në Japoni. Njerëzit me të ftohtë, vendosin maska kirurgjikale për të shmangur infektimin e të tjerëve. Fqinjët dërgojnë kuti të mbështjella si dhuratë me pluhur larës përpara se të nisën punë restauruese apo ndërtuese- një gjest që ndihmon për të pastruar rrobat nga pluhuri që pashmangshëm do të fluturojë aty.
Stafet në dyqane dhe restorante të përshëndesin me një përkulje dhe me një irasshaimase (mirëseardhje) të përzemërt. Vendosin një dorë nën tuajën kur ju kthejnë kusurin, për të shmangur që ndonjë monedhë të bjerë. Kur largoheni nga dyqani nuk është e pazalontë për ta të qëndrojnë në derë dhe të përkulen derisa ju të jeni larg.

Edhe makineritë praktikojnë omotenashin. Dyert e taksive hapen automatikisht ndërsa afroheni dhe shoferi me uniformë dhe doreza të bardha nuk pret bakshish nga ju. Ashensorët kërkojnë ndjesë që ju kanë lënë të prisni, ndërsa kur hyni në banjë ndenjësja e tualetit buron ujë për të treguar vëmendje. Shenjat e punimeve në rrugë shfaqin një foto të këndshme me një punonjës ndërtimi që përkulet. Në kulturën japoneze, sa më i largët grupit të tyre të jetë dikush, aq më e madhe është mirësjellja e treguar ndaj tij – ndaj të huajt (gaijin- fjalë për fjalë do të thotë “njerëz të jashtëm”) janë të mrekulluar kur e gjejnë veten të rrethuar nga kaq mirësjellje. “Më habit ende, edhe pas nëntë vitesh”, shprehet mësuesja e spanjishtes Carmen Lagasca. "Njerëzit përkulen kur ulen pranë teje në autobus, sërish kur ngrihen. Gjithnjë vërej diçka të re”.
Por omotenashi e kapërcen mirësjelljen për vizitorët: përshkon çdo nivel të jetës së përditshme dhe mësohet që në moshë fare të re. “Shumë prej nesh rriten me një proverb”, thotë Noriko Kobayashi, kreu i turizmit të brendshëm në DiscoverLink Setouchi, një konsorcium që synon të krijojë punë, të ruajë trashëgiminë vendase dhe të promovojë turizmin në Onomichi, Prefektura e Hiroshimës.


 “Thuhet se pasi dikush ka bërë diçka të mirë për ne, ne duhet ë bëjmë diçka të mirë për një tjetër. Por nëse dikush na ka bërë diçka të keqe, ne nuk duhet t’i bëjmë diçka të keqe dikujt tjetri. Mendoj se kjo bindje na bën të sjellshëm në veprimet tona”.
Por nga vjen gjithë kjo mirësjellje ? Sipas Isao Kumakura, profesor emeritus në institutin e kërkimit të Muzeut Kombëtar të Etnologjisë në Osaka, pjesa më e madhe e etiketës japoneze buron nga ritualet formale të ceremonisë së çajit dhe arteve luftarake. Në fakt, fjala omotenashi, fjalë për fjalë do të thotë “shpirt i shërbimit”, vjen nga ceremonia e çajit. Mikpritësi i ceremonisë së çajit punon fort për të përgatitur atmosferën e duhur në të cilën do të argëtoje të ftuarit, duke zgjedhur filxhanët e duhur, lulet dhe dekorimin pa pritur asgjë në kthim. Të ftuarit, të vetëdijshëm për përpjekjet e mikpritësit, i përgjigjen duke shfaqur një sjellje thuaj përnderuese. Të dyja palët, kështu, krijojnë një mjedis harmoni dhe respekti, rrënjosur në bindjen se e mira publike vjen përpara nevojës private.

Ngjashëm, mirësjellja dhe dhembshuria kanë qenë vlera bërthamë e Bushidos ( Mënyrës së Luftëtarit), kodi etik i samurajit, kasta e fuqishme ushtarake që ishin tejet të kualifikuar në artet luftarake. Ky kod i detajuar, analog i kalorësisë mesjetare, jo vetëm ka qeverisur nderin, disiplinën dhe moralin, por gjithashtu mënyrën e duhur e të bërit gjithçka nga përkulja te servirja e çajit. Normat e saj, bazuar në Zen, urdhëronin mjeshtri mbi emocionet e dikujt, qetësi të brendshme dhe respekt për të tjerët, përfshi edhe armiqtë. Bushido u bë baza për kodin e sjelljes për shoqërinë në përgjithësi.

Më e mrekullueshmja e faktit të ekspozimit ndaj kaq shumë mirësjelljeje, është se është ngjitës si fruthi. Shpejt do e gjesh veten duke vepruar më përzemërsisht, butë dhe në mënyrë më qytetare, duke dorëzuar kuleta të humbura policisë, duke i buzëqeshur ndërsa u hap rrugën shoferëve të tjerë, duke i marrë mbeturina e shtëpisë me vete dhe duke mos e ngritur kurrë zërin ( apo fryrë hundët) në publik.
A nuk do të ishte e mrekullueshme sikur secili vizitor të merrte në shtëpinë e tij pak omotenashi dhe ta shpërndante? Efekti i valëve mund të pastronte botën.

*Steve John Powell dhe Angeles Marin Cabello/ BBC/Travelstory