Ide e mirë! Duhet patjetër të bëjmë një ekskursion më vonë!”,  thashë pa menduar, ndërsa largohesha nga një grup udhëtarësh që sapo i kisha njohur në tren. Në një mendim të dytë, isha e rraskapitur, me dhimbje koke nga të pirët e një natë më parë dhe leximi i librit m’u duk opsion më i mirë. Kuptova se nuk isha vërtet e interesuar të shoqërohesha me ta. Por pse rashë dakord, atëherë? Sepse kjo është ajo që bëj. Thjesht shoqërohem me ta, thjesht pi një gotë, thjesht dal në takim. Në fund të fundit, jemi me pushime!
Pak më me ngadalë!
Kur udhëtojmë, priremi t’i ulim mburojat, ose të paktën të shesim përshtypjen se duhet, për shkak se “jemi me pushime”. Sigurisht, mbrojtja është e lartë kur bëhet fjalë të mbash një sy në kuletë, të shmangësh rrugët e errëta dhe nga konsumi i pijeve të çuditshme që të ofrojnë  të huajt  dhe,  shpresa ime e çiltër është se tanimë jemi mjeshtëruar. Sidoqoftë, kufij të tjerë nga të cilët do të përfitonim shumë duke i ndërtuar nuk janë aq të dukshëm.
Udhëtojmë dhe duam të njohim njerëz të rinj, të respektojmë kultura të reja dhe të provojmë eksperienca të reja, por ka një dallim mes kësaj dhe të marrit pjesë në gjëra që të  bëjnë të ndihesh parehatshëm sikur nuk je vetja, që të shterin apo nuk të  entuziazmojnë.



1.    Trupi yt

Kultura të ndryshme kanë përkufizime të ndryshme rreth “hapësirës vetjake”. Kur prisja në një ATM në San Jose, Kosta Rika, një hapësirë prej disa centimetrash  ishte një ftesë VIP për një grup prej katër vetash që të mësynin, duke menduar se personi përballë meje ishte i fundmit në radhë dhe unë po shihja pa ndonjë qëllim në mes të rrugës. Nuk ka problem. Prita edhe cinco minutos të tjera për të dalë nga rreshti im. Pura vida. Në Indi, kisha dy fëmijë të një nënë në prehër ndërsa ajo peshonte një furrë me mikrovalë në prehrin e saj.  Gjithçka,  gjithçka një protokoll normal në autobus publik. As kjo nuk ish ndonjë hata. I  mbajta fëmijët pa problem.
Në emër të udhëtimit, duhet ta shtyjmë veten për të kuptuar se nuk do të jetë njësoj si në shtëpi. Por të respektosh kulturën nuk i jep të drejtë  njëlloj dikujt  të të bëjë të ndihesh jo rehat. Në të njëjtin udhëtim autobusi, ndalesë pas ndalese,  turmat që qëndronin në këmbë u bënë më të dendura duke u përkulur ngadalë mbi ne, krijesat e ulura. Isha e përgjumur dhe pa energji për t’u treguar diskriminuese ndaj gjymtyrëve. Krahë, duar, të ndenjura dhe bigëzime – të gjithë njëlloj, në këtë pikë apo jo?
Ashtu në fakt...Derisa u zgjova nga gjysmëdremitja për të vërejtur pjesët private të një tipi ngjitur me krahun tim. Çfarë dreqin?! Por pastaj më erdhi keq. Nuk kish ku të shkonte tjetër. I gjori qëndronte aty i shtypur. E kam fjalën, jemi të gjithë mbi njëri-tjetrin. Por tani po bëhet e çuditshme. Ai e di që është aty. Po hyja dhe dilja nga loja mendore e justifikimit. Prit, çfarë?!  I gjori? E shkreta unë! I dhashë një bërryl në kofshë dhe u spraps.
Kufijtë mund të vijëzohen edhe në mënyrë romantike, gjithashtu. Nëse të pëlqen si ke jetuar në këtë sektor, mos e ndrysho për shkak se po udhëton. Nuk ka nevojë të blesh nga ato mbushamendjet “Oh, çlirohu, je me pushime!”. Udhëtimi nuk do të thotë të hedhësh tej sjelljen tënde të zakonshme. Do të thotë se e ke çuar veten tënde të mahnitshme në një vend të ri dhe do të vazhdosh të jesh vetja jote e mahnitshme. Kjo është. Nuk po them se nuk ka hapësirë për ndonjë thyerje, shërim dhe ta lësh veten të lirë, por bëj çfarë do për shkak se do ta bësh, jo sepse e ndjen se “duhet”. Kufijtë truporë aplikohen gjithashtu tek ajo çka konsumon. Thjesht haje tortën! Thjesht ktheje teken! Do të mendosh se presioni i kolegëve mbaron pas kolegjit. Nuk do të mbarojë kurrë. Pranoje!  Dëgjo veten! Mendoj se ajo që vjen pasi e ke dëgjuar është veprimi dhe jo reagimi. Merr pak kohë për të pyetur veten se çfarë ndjen, çfarë do dhe për çfarë ke nevojë. Po i jep vetes shumë kredite për të marrë me mend se do të thyhesh ndjenjat e dikujt po fole apo po e distancove veten. Mos ia bëj kaq qejfin vetes! Nuk ke aq pushtet mbi ta. Ata do jenë mirë.


2. Koha jote
Kur je në shtëpi, puna dhe faktorë stresues të përditshëm e konsumojnë menjëherë kohën tënde dhe koha e lirë është e kufizuar. Është me vlerë. Ndaj zgjedh të mos e paketosh me plane mediokre dhe nëse e bën, duhet të kesh kujdes. Kur jemi në rrugë axhenda është e hapur dhe ndonjëherë e marrim si dritë jeshile për ta mbushur me gjëra pakuptim.
Ndonjëherë kam kuptuar se ditët ikën dhe nuk kam zgjedhur njëherë vetëdijshëm sesi do të doja ta kaloja kohën time. Kam kuptuar se nxirrja shumë “Po, sigurisht do jem poshtë për të parë ujëvarës!” dhe “Pse të mos e pimë një gotë?! dhe jo mjaftueshëm “Më lër të mendohem një minutë rreth kësaj dhe të kthej përgjigje”. Kam vënë re se këto përgjigje miqtë, njeriu i  rëndësishëm, të panjohurit që kam takuar në autobus apo edhe agjenti i udhëtimit i kanë planifikuar për mua tre muaj më parë. Kam kuptuar se nuk kam dëgjuar  mjaftueshëm dëshirën dhe intuitën time.
E  bëra ekskursionin me grupin e trenit atë ditë. Por lodhja dhe interesi jo i madh më ndaloi të shfaqesha plotësisht. Isha e rraskapitur dhe po mendoja shtratin dhe librin. Vura re se ishte një nga herët e shumta kur kisha ikur thjesht me plane të sugjeruara për shkak se më dukej se “kishte kuptim”. E kam fjalën, jemi në Himalaje. po sikur të humbas diçka të hatashme? Teksa shoh pas, të kisha pritur kohën e duhur, do të kisha qenë më pozitive dhe ndërvepruese, si me grupin ashtu edhe me peizazhin rreth meje.
Nuk ndodhi brenda natës, por hoqa dorë nga këto gjëra. Dhe ndihem mirë. A dua bërtet të ha darkë me këtë gruan nga turi i ishullit tajlandez? Duket e këndshme, por jam gati ta hedh veten nga kjo anë e tragetit,  nëse dëgjoj edhe një tjetër histori sesa trofe ka fituar djali i saj në kampin e futbollit. A do më bënte më mirë të haja vetëm sonte? Janë biseda të brendshme si kjo që më bën të dëgjoja dhe jo të shpërfillja. Kur vërej një dyshim, i futem më shumë në vend që ta fshij. ( Meqë ra falja: I mbaruan përrallat me trofe sepse i biri ishte vetëm 5 vjeç, unë mbeta e ulur  për aq sa zgjati udhëtimi me varkë dhe hëngra Panang me curry e perime në vetmi të ëmbël atë natë). Nuk ke pse hyn në një meditim 30 minuta për të peshuar mundësitë e tua. Tregohu spontane. Tregu e hapur. Por prapë ji e vetëdijshme. Bjer të flesh gjatë natës me një ndjenjë fuqizuese duke ditur se ke zgjedhur ndërgjegjshëm si ta mbushësh ditën.
 
 
 2.    Fjalët e tua
“A je në humor për pak bisedë apo je në rregull?”, më pyeti rastësisht, duke lënë të kuptohej përbuzjen që ndante për mbushje të panevojshme të ajrit me kësi dokrrash. Deri në atë pikë, miku i tij udhëtar dhe unë kishim ndarë vetëm fjalëkalimin e internetit Wifi të kafenesë dhe një tryezë. “Jo”, i qesha. Pyetje e shkëlqyer. Ishte 11 e natës në Bangkok dhe po prisja trenin e natës. E fundit gjë që ndjeja të bëja ishte të hyja në bisedë: Nga je? Sa kohë ke që udhëton? Në cilat qytete ke qenë? Cili është i parapëlqyeri yt? Në fund, nuk e bëmë kurrë bisedën. ( Në mënyrë ironike, aftësia e tij për t’u ulur rehatshëm pa fjalë më intrigoi).
Bisedat e vogla të udhëtimit mund të jenë  thithës i madh energjie dhe vrarës të energjive pozitive. Të gjithë e bëjmë dhe me qëllim të mirë, por nuk është gjithnjë e nevojshme. Në perëndim, në Amerikë veçanërisht, na kanë mësuar të jemi miqësorë, të buzëqeshur dhe bisedues- gjatë gjithë kohës...se duhet gjithnjë, në çdo situatë të ndërveprosh  dhe se ai që nuk ndërvepron duhet dënuar. Mendoj se kemi nevojë ta rivlerësojmë këtë qasje. Mentaliteti se  duhet të jemi bisedorë gjithnjë mund të ketë edhe një efekt të kundërt dhe mund të çojë në komunikim fals dhe të të bëjë të ndihesh i shterur, në fund. Nuk ka asgjë të gabuar me një njohje të sjellshme të të tjerëve dhe më pas të vendoset heshtja. Çdo fjalë që flet shpërndan një pjesë të vogël tënden në botë. Kështu që paketoje me efikasitet. Gjasat janë se nëse je e mërzitur nga një bisedë e detyruar, ashtu janë edhe ata. Kurseji fjalët atëherë kur duhet. Nëse i ruan fjalët për atëherë kur ka vërtet interes, do të jesh i pranishëm dhe origjinal në ndërveprim. Nëse jo, do të shpenzosh...


4. Energjia
Trupi yt, fjalët e tua, koha jote- këto kategori janë lëmsh, duken sikur mbivendosen dhe të gjitha shkojnë në një pikë; te energjia.
Një fjalë paralajmëruese: Nëse zgjedh të ndërtosh kufij rreth secilës më lart – nëse vendos të mos kthesh teke tekila në një festë të çmendur, nëse zgjedh heshtjen mbi bisedat e vogla në një stacion treni, apo nëse nuk jep një arsye shoqërisht të pranueshme se pse refuzove një ftesë për darkë- do të merresh në pyetje. Njerëzit thjesht po përpiqen të të kuptojnë. Jepu një shpjegim të vogël, por mos shpenzo shumë energji duke u përpjekur të justifikosh veten. Nëse ka një heshtje të çuditshme, le të jetë e çuditshme. Buzëqesh sjellshëm, duke ditur paqësisht se ndoqe atë që kishe nevojë në atë kohë. Të tjerët do të jenë në rregull. Vërtet që  do të jenë, miqtë do të kuptojnë se gjumi pas të pirit është më i mirë se ecja, mamaja krenare e ishullit tajlandeze me kënaqësi do heq dorë nga rrëfimet e saj dhe do i drejtohet viktimës së radhës dhe ajo vajza që nuk puthe – besoje apo jo, Romeo- do të të harrojë në një ditë.
Pavarësisht të tjerëve, edhe ne kemi nevojë të vendosim kufij rreth natyrës së hapërdarë të mendjeve tona. Të bredhësh dyqaneve të një qyteti të madh, të përpiqesh t’i gjesh kuptim gjithë vuajtjeve që sheh në rrugën drejt resorit dhe të analizosh tepër se pse ti dhe shoku nuk po ngjisni në këtë udhëtim, të gjitha këto ju konsumojnë energjinë. Dhe duhet, sepse janë të rëndësishme. Por duhet të dimë kur të ndalemi. Pushoni dhe pyesni v eten nëse do të ishte më me vlerë ta merrnit pak më ngadalë apo ta vendosni energjinë mendore dikur tjetër për qenien kohë.
Vendosja e kufijve dhe ruajtja e energjisë ka të bëjë me atë çka ju plotësisht i shfaqni botës – për atë bisedë, për atë ekskursion, për atë darkë. Nuk ka asgjë fisnike t’i jepni dikujt gjysmën e vetes. Sa më shumë ndërtoni kufij kur është e nevojshme, aq më shumë mund të lejoni veten të jenë plotësisht në kontakt me ata që ju ndërvepronim kur flisni, takoheni dhe eksploroni.


Nga Christina Lancione
*MatadorNetwork