• Fillimisht siguroni një vend të sheshtë e me hapësirë të konsiderueshme, që mund të ishte shumë mirë krevati juaj.
• Si qendër do të shërbente shumë mirë një jastëk në formë katrore ose drejtkëndore (ose një nga ata me fryrje për në plazh), apo një çantë tualeti që duhet ta mbushni fillimisht me gjëra të tjera, si çorape, rroba banje, ndërresa të tjera, etj, madhësia e të cilave varion në bazë të përmasave të valixhes suaj.
• Filloni të vini të gjitha veshjet njëra mbi tjetrën, në formë shtresash, duke u kujdesur që ta sheshoni mirë secilën, sipas formës së vetë natyrale.
• Renditja është kjo: të parat xhaketat, pastaj fundet e gjata apo fustanet, bluzat me mëngë të gjata, bluzat me mëngë të shkurtra, pantallonat e gjata, pantallonat e shkurtra. Mbi këto të fundit vendosni “qendrën”.
• Xhaketat dhe këmishët paketohen gjithmonë të mbërthyera.
• Këmishët vendosen me pjesën e kopsave sipër, ndërsa xhaketat në mënyrë të kundërt, me pjesën e kopsave jashtë.
• Mëngët e xhaketës duhet të palosen në mënyrë diagonale, duke krijuar një formë X-je me bustin.
• Filloni të mbështillni veshjen e shtresës së sipërme rreth qendrës e vijoni më pas deri në veshjen e shtresës së fundit.
• Mos përfshini në këtë lloj paketimi veshje që do t’ju duhen gjatë udhëtimit.
• Qeset e vakumit mund të reduktojnë hapësirën (jo të gjithë ekspertët bien dakord në këtë pikë), por nuk këshillohen për të paketuar çdo lloj veshjeje, sepse shkaktojnë shumë rrudha. E mira është të përdoren për veshje që nuk rrudhosen, ose edhe në rast të tillë, nuk përbëjnë shumë problem, si p.sh. rroba banje, peshqirë plazhi, çorape, etj. Dhe gjithmonë duhet pasur parasysh kthimi: A do të keni një fshesë me korrent në dispozicion?
• Në fund, fiksoni gjithçka me shiritat e brendshëm të valixhes, përndryshe puna juaj do të ishte e kotë.
• Ndërsa lexoni, mund t’ju duket aq e komplikuar sa nuk do t’ia vlente ta merrnit mundimin, por me kalimin e kohës procesi bëhet shumë i thjeshtë dhe rezultati do t’ju shtyjë ta bëni sërish.