Skulptori Ilirian Shima na bën udhë në zbulim të Athinës. Zotat, antikiteti, filozofia, shpirti ballkanas, aroma e detit dhe e ushqimeve vijnë të përshkruara aq gjallë , saqë udhëtimi nuk mund të mos duket veçse i përjetuar njëmendi. Zbulojeni të zhveshur në madhështinë e tij kryeqytetin grek, ashtu siç vetëm një artist di ta bëjë.

                                                                                                                                                                Takim me Zotat
Banoj shumë afër aeroportit, le të shkojmë në studion time për një kafe e t’ju tregoj dhe bëmën time të fundit, që kam në dore. Më pas, pa humbur kohë le t’i drejtohemi Tempullit të Poseidonit në Sunio për të hyrë menjëherë ne atmosferën karakteristike të Greqisë së lashtë . Përveç emocioneve të veçanta nga ky vend arkeologjik ne u oksigjenuam nga ajri i pastër i vendit të zotave. Dëshira është e madhe t’ju dëftej edhe pika të tjera turistike me karakter arkeologjik, të cilat janë vërtet për mos u humbur, por le të nisemi drejt e për në Akropoli, në Tempullin e Parthenonit në majë të shkëmbit. Përsëri duhen këmbë të forta, por dëshira dhe kureshtja të bëjnë ta harrosh lodhjen. Kupton më së miri kohën, kulturën, vendin dhe psikologjinë e këtij populli kaq të lashte e të bën të filozofosh. Le të zbresim e të shohim edhe muzeun fantastik të akropolit nga ku do të dalim vërtetë të pasuruar e me ndjesinë e një diplomimi prej një shkolle fantastike arti. Herë-herë, pasi del nga muzeu dhe je duke ecur në kalldrëmin fantastik të Thisios, ke ndjesinë sikur edhe ti vetë je krijim i atyre mjeshtërve të lashtë, të cilët krijuan vetë zotat.
 
                                                                 
Edhe kërshëria vjen nga stomaku...
Është drekë dhe duke ecur rrugicave të lagjes “Plaka” e cila ndodhet poshtë shkëmbit të Akropolit, aromat që vijnë nga tavernat na e bëjnë të pamundur vazhdimin e vizitave në pikat me të vogla arkeologjike. Atëherë le të ulemi diku këtu dhe më pas le të shkojmë të shohim edhe portalin e lashtë të qytetit.
“Dëshiron një pjatë “gjiro me pita”, pjatën karakteristike të kësaj lagjeje të Athinës?” –sugjeron kamerieri i sjellshëm dhe simpatik me vetulla pothuaj të pandërprera në mes. Unë dua qebap “Jaurtglu”, pjatë me kos dhe qebap me prejardhje prej Azisë së Vogël e cila vërtet mbart në shijen e saj gjithë pasurinë e Anadollit, gjithsesi provojeni edhe musakanë tonë dhe sallatën e fshatit me djathë feta me rigon e me vajin e ullirit të virgjër kretan ose nga ullishtat e Mesogjias, në  rrethinat e Athinës , mjeshtëri arvanitësh. Unë i dua të gjitha, por kemi rrugë për të bërë sot, zonjat duan të bëjnë shopping dhe se në darke do të provojmë edhe shijen e detit e të hedhim ndonjë gotë uzo,  që të jemi të intonuar e të gatitur për argëtimin e natës.
                                                                               
Dy hapa dhe shopping
Ashtu u bë se s’bëhej ndryshe. Iu drejtuam rrugës tregtare me famë Ermu e cila e ka kryet nga Sindagma (Parlamenti nga ku duken rojet me fustanella e me nallane me xhufka të rrethuar nga qindra pëllumba) e përfundon në thellësi të pazarit të Monastiraqit. Vitrina të mrekullueshme e ndjellëse të shoqërojnë gjatë të gjithë dishezës së lehtë. Nëpër xhamat gjigande përveç veshjeve nga më të shtrenjtat dhe të shumëllojshmet që shihen, varen edhe afishe të mëdha te okazioneve dhe të uljes se çmimeve pasi në këtë vend dhe në këtë kohë mbisundon një krizë ekonomike, situatë e cila përveç vështirësive , jep edhe mundësi dhe raste të jashtëzakonshme për të blerë jo vetëm rroba e gjëra të përditshme, por kryesisht shtëpi e toka buzëdetesh. “Ç’ka nuk të vret, të bën më të fortë” thonë vendasit dhe jam i sigurt që ky popull do ta kaloje shpejt këtë provë.
Megjithatë, njerëzit buzëqeshin sikur duan të thonë se sido që të bëhet në jemi shumë të pasur, pasi këtë pasuri dhe këtë buzëqeshje e kemi dhuratë prej zotave të Olimpit dhe nuk mund të na e shterojnë kurrë... “Hapu prej diellit, që ti nuk ma dhe kurrë” ,  tha ai greku i mençur prej brenda qypit që të dëgjohet përjetë.
–“Kjo aromë është dhurate për ty, mendova se të shkon me fizionominë”.
–“ Faleminderit zemër, e adhuroj parfumin e mykut të drurit”.
Shoppingu kishte filluar pa e kuptuar. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë drejt lagjes së Kolonaqit, lagjes së aristokratëve e të doktorëve të mëdhenj.

                                                                                       Nga antikiteti në artin kontemporan
Do të kemi rastin të shohim art kontemporan në galeritë më të njohura të Greqisë, të cilat fshihen pa bujë nëpër rrugicat e kthinat dhe ku çuditërisht mund të gjesh të ekspozuara emrat më të mëdhenj të artit.
 –Ja,  të futemi këtu! Kjo është e pabesueshme! Autor shqiptar, artist nga më të njohurit në botë , ekspozon me dinjitet këtu. U mrekulluam. Bukur do të ishte të dëgjonim edhe koncertin e violonçelistit tonë të madh në teatrin e operës “Megaro Muziki” këtu po në këtë lagje. Tashme statusi i shqiptarëve në Greqi ka ndryshuar, në këtë moment jemi këtu një grup artistësh, gazetarësh dhe turistesh. Bukur , më pëlqen dhe shumë shpresëdhënëse kjo... vazhdojmë të ecim më tej dhe si për dreq i afrohemi dyqanit të famshëm të ëmbëlsirave. Oh ç‘tundim ajo hallva me gjalpë dhe bajame! Është e bërë prej mjeshtërve nga Selaniku. Sidoqoftë unë nuk largohem pa shijuar edhe kadaifin me fëstëkë të shoqëruar me “ek-mek” akullore. Zonjave u është vështirësuar ecja, pasi mbajnë në duar tufa me çanta letre ngjyra-ngjyra e me dizajnë marramendëse.
–I mora ato këpucët që ëndërroja, meqë ishte rasti.
–I gëzofsh!
S’më ngeli gjë tjetër veç se të shkoja vetë e të merrja makinën për të vazhduar xhiron tonë tashmë në muzg.
Si thoni t’i drejtohemi Pireut? Apo të shkojmë në Varkiza, për të shijuar detin me gjithë magjinë e tij?
  
Aromë Mesdheu
Vendosëm të shkojmë në portin e Pashalimanit në Pire për të shijuar kuzhinën karakteristike buzë jahteve të shumtë nga ku ngrihen si një pyll magjik mijëra direkë të bardhë që lëkunden lehtë valësh. Kudo nëpër tavernat që shtrihen gjatë gjithë rrugës sheh të varur oktapodë që thahen e marinohen në ajrin plot jod të detit.
Tavolina katrore dhe karriget me “psatha” të lidhura me gjeth xunkthi të ndjellin të ulesh e mos e zgjasësh hiç.Aroma e uzos dhe e kallamarit të fërguar kundërmon kudo. Porosia është pa frena. i duam të gjitha këtu. Tavolina katrore mbushet aq sa na duhet të bëjmë dy të tilla bashkë. Kallamarë, oktapod të zier e të  pjekur, të shuar në uthull , peshq të vegjël të fërguar si ‘Gopa’ dhe ‘Lithrinia’, xaxiki dhe tirokafteria, sallata e fshatit apo radhiqet e egra, kungujt e prerë së gjati, të fërguar me miell, shijojnë me tepër ndërsa kthejmë gotat e uzos të zbardhura nga kubat e akullit në to. Këngët meraklidhika, kasapika apo zejbetika na shoqërojnë vazhdimisht me tingujt e buzuqit apo të bakllamasë. Kënga “Sagapo jati ise orea” (Të dua sepse je e bukur) veçon.
Nuk e kuptova a u err apo m’u turbulluan sytë. Ishte bukur vërtet. Tavernjari na qerasi edhe kosin me mjaltë si kapak floriri duke thënë një fjalë të vjetër greke “Fukarallëku kërkon të kalosh bukur” dhe ky është sekreti i jetës së mirë dhe i buzëqeshjes se këtyre njerëzve.

Në vend të epilogut
Meqë syri nuk kërkon gjumë sonte, le të shkojmë të dëfrejmë në buzukia ose në ndonjë bar me muzikë xhaz, në qendër të qytetit dhe sigurisht pjatën e fundit do ta hamë në të gdhirë brenda në tregun e mishit ( varvakio agora), paçen legjendare. Ngelen pak orë për gjumë pasi në mëngjes duhet të përcjell miqtë e mi për në aeroport. “Herën tjetër, do gatuajmë në shtëpinë tonë” tha zonja ime. Fluturim të mbarë!

*Iliriani nga studioja e Athinës
Shkurt 2015