Këngëtari i muzikës reagge,  shumë i njohur  dhe i dashur për publikun holandez dhe më gjerë, Jon Tarifa na bën një shëtitje në Hagën, qytetin që ai e njeh si në pëllëmbë të dorës. Si ta shihni Hagën me sytë e një vendasi dhe të shijoni çdo skutë të saj... 

Haga është një nga qytetet më të jashtëzakonshëm në Holandë. Jo vetëm se është qyteti i qeverisë, por edhe për shkak të shumë monumenteve , rretheve historike dhe vendndodhjes së  saj në afërsi bregdetit të bukur të  Detit të Veriut. Haga është i njohur edhe si “Qyteti Mbretëror buzë detit” dhe është quajtur  “qyteti rezidencë” për shkak të shumë anëtarëve të Familjes Mbretërore Holandeze që banojnë në lagjet e saj elegante.
Një  qendër  metropolitane  dhe kozmopolitane në kuptimin e vërtetë të fjalës. Haga është quajtur  edhe qyteti i paqes dhe drejtësisë. Aty  kanë selinë e tyre Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare Penale, Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit etj.
“Në këtë qytet unë kam studiuar për shumë vite me radhë dhe jetoj qysh nga viti 1998, ndaj edhe, për mua, Haga është një Tiranë e dytë”- rrëfen Joni, duke shtuar se jetesa, studimet dhe puna në këtë qytet e kanë bërë të integrohet plotësisht në  shoqërinë holandeze si nga ana kulturore ashtu edhe ajo profesionale. “Në Hagë dhe në çdo qytet tjetër të Holandës, ndihem si në shtëpinë time”- vijon ai, ndërsa na udhëheq në këtë guidë virtuale duke na zbuluar edhe jetën e tij të përditshme mes punës dhe kohës së lirë, e cila tashmë i ngjet jetës së një holandezi tipik....

Vendet për të mos  u humbur
Në Hagë ndërthuren historia dhe arkitektura e vjetër mesjetare me kulturën dhe arkitekturën postmoderne. Është një qytet “typical Dutch”, me tiparet e një qyteti dhe kulture kozmopolitane. Edhe pse jo aq dhe për të njëjtat arsye si Amsterdami, Haga është një qytet tepër tërheqës për turistët e huaj. Të  huajt mahniten me arkitekturën e qytetit, sidomos me ndërtesën e Parlamentit që ndodhet në qendër të Hagës, me plazhin në “Scheveningen”, që është ndoshta më i madhi dhe më i bukuri në Detin e Veriut, me rërën e tij të pastër, shëtitoren e tij magjike, baret, kafenetë, restorantet dhe qendrat rekreative të jashtëzakonshme, sidomos në perëndim të diellit. Vizitorët  e huaj tërhiqen pas Pallatit Mbretëror dhe pas Pallatit të Paqes dhe mahniten me “Maduradam-in”, Holandën në miniaturë, ku sheh, si në pëllëmbë të dorës, tërë Mbretërinë e Holandës. Por, Haga, ka edhe një jetë shumë të gjallë kulturore e artistike, koncerte e festivale të shumta, si edhe mjaft muze e galeri të pasura.
 
Koha më e mirë për ta vizituar
Holanda është një vend me pak diell dhe me shumë erë dhe shi. Koha më e mirë për ta vizituar këtë vend dhe vetë Hagën, është, pa dyshim, vera. Pranvera e vonë dhe vjeshta e hershme janë, gjithashtu, periudha të bukura. Plazhi i Hagës është vetëm dhjetë minuta larg nga qendra e qytetit, me biçikletë ose me tramvaj. Nëse e viziton Hagën (ose çdo qytet tjetër të Holandës) në fund të muajit prill, kur holandezët festojnë ditëlindjen e Mbretit (Koningsdag—King’s Day), pamjet që sheh, njerëzit që takon, harenë dhe lirinë e plotë që përjeton në rrugë e në sheshe, i merr me vete dhe i ruan si kujtime të pashlyeshme gjatë tërë jetës.

Ku të kthesh një gotë
Haga ka dy sheshe kryesore ku të rinjtë, por edhe njerëzit e të gjitha moshave (sepse kur vjen puna për argëtim holandezët nuk njohin moshë), kalojnë një pjesë të kohës duke kthyer një gotë (domosdo Heineken) dhe duke kaluar kohë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Këto sheshe janë: “Plein” dhe “Grote Markt”. Në to ka shumë bare e restorante të cilat janë gjithnjë plot. Po kështu, një pjesë e njerëzve pëlqejnë t’i kalojnë mbrëmjet (dhe sidomos fundjavat) në baret dhe restorantet e Scheveningen-it.
Ku ta shijosh kulinarinë vendase
Holandezët nuk janë të njohur për kulinarinë e tyre. Në fakt, ka fare pak restorante që mund të quheshin “Dutch restaurants”. Është shumë më lehtë të gjesh një restorant italian, grek, francez, indonezian, kinez, japonez, turk apo libanez, sesa një restorant në të cilin gatuhet sipas traditës së vendit.
Pjata tipike
Siç thashë më sipër, holandezët nuk shquhen as për llojshmërinë e ushqimit të tyre, as për mënyrën e gatimit. Sidoqoftë, disa nga gatimet e tyre tipike janë ato që në holandisht quhen: “bitterballen”, “frikandel”, “stampot” dhe “hutspot”.
Ku të hedhësh dy hapa
Zgjedhja e parë do të ishte Scheveningen, shëtitorja e këtij plazhi magjepsës dhe mjaft argëtues, por edhe rrugët e ngushta të qytetit, buzë kanaleve që janë gjëja më tipike në Holandë. Unë mendoj se në krejt Europën Veriore, nuk ka plazh më të bukur se ai Scheveningen-it dhe nuk sheh perëndim më të bukur të diellit se ai që sheh në këtë vend.
Ku të shpenzosh ca para për shopping
Haga të bën të prishësh para pa fund. Dyqane të të gjitha llojeve dhe për të gjitha kategoritë e blerësve, që mbushin qendrën dhe disa nga rrugët kryesore të qytetit. Disa nga dyqanet më ekskluzive të veshjeve i gjen në rrugët “Papestraat”, “Noordeinde”, “Prinsestraat” etj., pa përmendur Scheveningen-in.
 
Pak informacion për vendasit
Haga është një qytet kozmopolitan, multikulturor. Këtu gjen njerëz nga të gjitha kulturat dhe nga e gjithë bota. Haga është kryeqyteti politik dhe administrativ i Holandës, edhe pse zyrtarisht, kryeqytet i vendit është Amsterdami. Në Hagë jeton Mbreti; këtu ndodhen të gjitha ndërtesat qeveritare dhe kanë selitë e tyre të gjitha ambasadat e huaja në këtë vend. Holandezët janë një popull shumë i kulturuar, por, përgjithësisht, me një sens humori jo shumë të gjallë. Megjithatë, ata janë shumë të thjeshtë dhe shumë të shoqërueshëm. Holandezët janë njerëzit më mendje hapur që unë kam njohur dhe me një kulturë shumë libertine. Veç të tjerash, ata janë (pas finlandezëve besoj), si popull, njerëzit më shtatlartë në botë.
 
 
Qyteti shëtitet më mirë me...
Me biçikletë, pa dyshim, por edhe me këmbë. Si kudo në Holandë, edhe në Hagë, pjesa më e madhe e njerëzve, të të gjitha moshave, lëvizin në rrugë me biçikleta. Holandezët mendojnë se biçikleta është shpikja më e madhe e njerëzimit . Haga nuk është një qytet shumë i madh, por për shkak se nuk ka ndërtesa shumë të larta, është shumë i shtrirë.
Ku të shpengohesh netëve
Haga ka një jetë nate vibrante: shumë bare (pub), klube nate dhe restorante që rrinë hapur deri vonë, sidomos në qendër dhe në Scheveningen. Një nga baret më të frekuentuara është “Millers”. Por ka edhe vende të tjera si: “Paard van Troje”, “The Roots” dhe “ SuperMarkt” etj. Asnjë prej tyre nuk e gjen kurrë bosh.
Këshilla ekstra
Nëse e viziton Hagën, unë do rekomandoja të merrnit me qira një biçikletë në Stacionin Qendror të trenit dhe thjesht të lëvizje nëpër rrugët e qytetit. Haga ka korsi të veçanta për biçikletat në çdo rrugë kryesore dhe kjo e bën shumë të lehtë përdorimin e tyre. Me biçikletë mund të shohësh më shumë dhe më mirë, sidomos nëse ndalon kudo ku të tërheq vëmendjen një park i bukur, një dyqan i veçantë, një bar, një monument, një urë, një kanal, një ndërtesë, apo një grup njerëzish. Mos e vizito Hagën me makinë. Me makinë nuk sheh thuajse asgjë dhe, veç të tjerash, është vështirë të parkosh.