Gjatë qëndrimit tim njëmbëdhjetëvjeçar në Romë, periudhë që ndikoi rrënjësisht në formimin tim psiko-social, pata fatin edhe që të punoja në qendrën e saj historike e ta shëtisja me kërshëri. Ato shëtitje, fizike dhe shpirtërore,  të gjata e të shpeshta më bënin të përhumbja në një botë të magjishme midis antikitetit dhe botës moderne.
Duke dalë nga metroja, zbrisja gjithnjë në ndalesën e Koloseut, njëri prej monumenteve më të njohur të botës, i quajtur ndryshe edhe Amfiteatri Flavio, i ndërtuar sipas dëshirës së perandorit të asaj kohe, Vespasiano, rreth vitit 80 pas Krishtit. Ky monument, në trajtë të rrumbullakët, dukur përdorej si arenë dyluftimi midis gladiatorëve dhe kafshëve grabitqare. Prej aty e përshkoja të gjithë Fori Romani-n, një rrugë piktoreske në të majtë të së cilës qëndrojnë të ekspozuara rrënojat shekullore romake dhe varret e perandorëve.
   

Brenda pak minutave mbërrija në sheshin ‘Venezia’, ku spikat pallati Altare della Patria (Altari i atdheut), i quajtur ndryshe edhe Vittoriano, një monument madhështor, i gjithi i bardhë, i ndërtuar nga Musolini, duke qenë se sheshi Venecia ishte epiqendra ku ai mbante fjalimet e tij. Ngjitur me të ose, më saktë, në shpinë të tij, gjendet kisha Santa Maria in Naracelli, me tavanin që daton rreth pesëqindtës, ashtu si edhe afresket që i dekorojnë të gjitha sipërfaqet e mureve. Aty gjendet edhe skulptura e larë në ar e Jezusit fëmijë që, sipas gojëdhënave, ka vlera magjike e kuruese.
Afër me kishën ndodhet edhe Campidoglio, që shënon edhe  njërën prej shtatë kodrave mbi të cilat u themelua Roma. Përballë Vitorianos, Via del Corso, një rrugë e drejtë dhe në të dyja anët me dyqane, të josh të shpenzosh për veshje dhe aksesorë të të gjitha llojeve.
   

Në njërën prej rrugicave të shumta me kalldrëm të kësaj rruge (që romanët i quajnë san pietrini), ku kamerierët të veshur me uniformë të buzëqeshin dhe të ftojnë (shpeshherë madje duke t’u përgjëruar me sytë e tyre të ngultë dhe bindës) që t’i përzgjedhësh për të konsumuar diçka, mbërrin ndërkaq në Fontana di Trevi, një copëz parajse e vërtetë, që të përthith në vorbullën e magjisë dhe misterit të saj e të bën të përjetosh një përvojë unike dhe përrallore. E njohur kryesisht për “hedhjen e monedhës”, që supozohet se të përmbush plotësimin e një dëshire të shprehur në atë çast, arsyeja e vërtetë e joshjes sime të epërme prej këtij monumenti është veçanërisht një legjendë metropolitane që e shoqëron.
 
Jam e sigurt se pjesa më e madhe e turistëve as që e kanë vënë re që në katin e sipërm të godinës së bardhë, ngritur mbi një burim ku “notojnë” skulptura madhështore, në dhomën e fundit djathtas, dritarja mungon dhe në vend të saj gjendet një mur mbi të cilin është vizatuar një dritare e ngjashme me të tjerat. Legjenda rrëfen për historinë e një vajze aristokrate, e dashuruar pas një djali të varfër që kalonte çdo natë poshtë dritares për ta përshëndetur. I ati i vajzës, i shtyrë nga zemërata dhe nga pamundësia për ta martuar bijën e  tij të vetme me një të varfër, ia heq dritaren dhe e bën mur, në mënyrë që vajza të mos i shihte më sytë e djalit e, kësisoj, vdes e vetme në atë dhomë pa dritare. Natyrisht, në ditët e sotme histori të tilla janë të vështira për t’u besuar, por gjithsesi pak imagjinatë nuk i bën keq as mendjes e as shpirtit njerëzor. E ndërkaq një enigmë vizatohet mbi atë ndërtesë: dritarja e rrejshme mbi mur…


Roma-Amor
Piazza di Spagna e merr emrin nga Ambasada e Spanjës që gjendet aty pranë; prej aty mund të shëtitësh rrugën ‘Frattina’ apo rrugën ‘Condotti’ e të përballesh me ndonjërin prej atyre personazheve televizivë që shpesh ne, pas rënies së diktaturës, i ndiqnim dhe i admironim nëpër televizionet e ndryshme italiane që ndiqnim. Njëri prej vendeve të mi më të dashur e që e vizitoja më shpesh është edhe Panteoni, një tempull dymijëvjeçar kushtuar hyjnive (Pan- “të gjithë” dhe Theon- “hyjni”). Porsa hyn në të, gjëja e parë që të tërheq vëmendjen është kupola e hapur, si një sy gjigant prej nga filtrohet një dritë verbuese mbi afresket dhe pikturat e kësaj ndërtese të magjishme dhe unike. Pra, gjendemi në zemër të Romës, të këtij qyteti të përjetshëm (La città eterna, që, e lexuar mbrapsht, do të ishte AMOR). Në pozicionin qendror të sheshit ‘Navona’ gjendet burimi i ujit më e jashtëzakonshëm dhe skenografik i stilit barok, i lidhur me hieroglifët e Romës papale. Kompozicioni i tij ka një magjepsje që të lë pa frymë: obelisku egjiptian  i mermertë, i ngritur në qendër të monumentit (i punuar falë mjeshtërisë së Berninit dhe bashkëpunëtorit të tij Athanasius Kirçer dhe i quajtur Obelisco Pamphilio) është i rrethuar nga statuja gjigante prej mermeri të bardhë të Tritonëve që luftojnë me gjarpërinj, luanë, dragonj e shumëçka tjetër.
 
Ajo që tërheq më shumë vëmendjen është vitaliteti i ekspresivitetit të fytyrës dhe shumë elemente simbolike që e bëjnë këtë monument të jashtëzakonshëm e që nuk duhet humbur për t’u vizituar.Duke vazhduar shëtitjen, në fund të Via del Corso-s gjejmë një shesh të bukur, Sheshi i Popullit, me në qendër një burim të madh, mbushur gjithnjë me të rinj, me shitës ambulantë apo muzikë live. Shumë pranë këtij sheshi gjendet Villa Borghese, një ‘mushkëri’ e  blertë e natyrës, ku kjo e fundit gërshetohet mrekullisht me artin nëpër muzetë aty rrotull, si statujat e 600-ës të Berninit, sa për të marrë një shembull, të cilat e kapërcejnë gjendjen statike të materies dhe shndërrohen në një emocion të vërtetë artistik.


Transport  (jo) antik
Prej aty marr metronë, meqenëse është mjeti më i shpejtë për të lëvizur në Romë e për të evituar dyndjen e turistëve të shumtë dhe trafikun e përhershëm, dhe nisem  drejt Piazza del Risorgimento-s, ku mund të gjejmë shtetin më të vogël, të pushtetshëm e më të mistershëm të botës, Vatikanin. Ajo që të bën përshtypje, porsa hyn brenda tij, janë pa dyshim rojat zvicerane me uniformat e tyre shumëngjyrëshe dhe armaturën kavalereske që të kujtojnë pak Don Kishotin e Servantesit. Përveç kupolës së Basilica di San Pietro, nuk mund të mos vizitohet Muzeu i Vatikanit, me bukuritë marramendëse të pikturave të tij, Mikelanxhelon dhe të famshmen e mbresëlënësen Cappella Sistina.


Të shpengohesh sipas modës  italiane
Mbrëmja në Romë të ofron mundësi të pafundme zgjedhjesh: nga darkat romantike nën tingujt e jazz-it nëpër metro-restorantet, te piceritë më të njohura në qendër apo baret e panumërt të të gjitha llojeve dhe shijeve.
Një alternativë e mirë ku të shpengohesh netëve, përveç diskotekave të Testaços, në zonën e Piramides, apo një gotë verë dhe një darkë e thjeshtë e me pak shpenzime në zonën e Pinjetos apo në Campo dei Fiori, mund të jetë edhe Isola Tiberina. E mbushur me tenda që shesin veshje dhe aksesorë të ndryshëm deri në orët e vona, me bare, restorante, kinema pa çati, koncerte live, e ku mund të tymosësh nargjile në hapësirë të hapur ndërsa je duke konsumuar diçka për të pirë, të gjitha këto anës lumit Lungotevere, Isola Tiberina të siguron një mbrëmje argëtuese nën gumëzhimën e këndshme të lumit e zërave gjallërues dhe muzikës. E meqenëse jemi në Tevere mund të vizitojmë edhe Castel Sant’Angelo, i ndërtuar për perandorin Adriano, ku shtrihet një urë me statuja të mrekullueshme engjëjsh.

Populli roman karakterizohet për natyrën e thjeshtë dhe gjallëruese; janë gjithnjë të apasionuar pas ushqimit dhe argëtimit. Flasin në një dialekt që synon kryesisht në shkurtimin e fjalëve dhe në forcimin e shqiptimit të zanoreve. Janë gjithashtu të zhurmshëm, shakaxhinj dhe shumë popullorë; mund të bëhesh menjëherë mik me ta, që në çastin kur i njeh, ndonëse parapëlqejnë që ta mbajnë njëfarë distance sigurie nga të panjohurit.


Gatime alla  romana
Për sa i përket kulinarisë romane tradicionale, ajo mbështetet kryesisht në përbërës të pasur dhe ushqyes, të shërbyer me porcione të bollshme. Recetat përgjithësisht kalohen nga njëri brez në tjetrin ndaj, në se ju propozojnë të provoni la pasta della nonna  (makaronat e gatuara nga gjyshja) me shumë krenari dhe mirëbesim po ju garantojnë një pjatë të vërtetë romane. Një pjatë tradicionale romane, pa folur për listën e gjatë të llojeve të ndryshme të makaronave (si carbonara, amatricciana, cacio e pepe e shumë të tjera), do të ishte la trippa alla romana, (plëndës i aromatizuar me mente dhe mbuluar nga një shtresë e bollshme me pecorino romano, një djathë shumë i kripur e i shijshëm) apo saltimbocca alla romana, bërxollë viçi me proshutë dhe sherbelë.
 
Nëse na del pak koha, mund të vizitojmë edhe Stadio dei Marmi, pranë stadiumit olimpik, i rrethuar nga 60 skulpturat e tij, apo zonën Eur të Romës, e njohur për gjelbërimin dhe natyrën e pastër, por edhe për garat me kanoa (lundër) që zhvillohen në lumin e zonës. Në se shkojmë në Tivoli, vetëm dyzet minuta larg nga Roma, mund të gjejmë mrekulli të tjera për të vizituar, si Villa Adriana, Villa Gregoriana apo Villa D’Este.
 
Vacanze romane
Periudha ideale për të vizituar Romën, por edhe për të udhëtuar në përgjithësi, mendoj se është pranvera. Pas mbarimit të letargut dimëror dhe shpërthimit të sythave të luleve, kjo stinë të ofron më tepër mundësi që të vizitosh më shumë vende e me një klimë të mirë që nuk është as ngrohtë e as ftohtë. Ndonëse për ata më romantikët apo për shpirtin e lirë e frymëzues që i karakterizon artistët, do të ishte e këndshme edhe stina e vjeshtës.

Ajo që të mbetet pas ikjes nga Roma është ndjesia e mosngopjes: të duket sikur nuk e vizitove e as nuk e përjetove mjaftueshëm dhe, paevitueshmërisht, brenda vetes të ngjizet një dëshirë e fortë për t’u rikthyer në këtë qytet të pakrahasueshëm në botë. Një qytet i pasur me kulturë dhe hijeshi e për të cilin nuk mjaftojnë kurrë vitet për ta njohur mjaftueshëm as për ata, sikurse edhe unë, që e jetuan gjatë. Ja përse, sipas meje, e quajnë qyteti i përjetshëm; përpos gjurmëve shekullore e historike që ruan në vete, aty ndien përherë një aromë freskie që nuk të ngop kurrë me magjinë e saj. Caput mundi, që nga latinishtja do të përkthehej “kryeqyteti i botës”, Roma mbetet si një libër i mirë për një lexues potencial: mund t’i rikthehesh me ëndje dhe nostalgji dhe çdo herë që do ta shijosh, do të jetë si hera e parë…