“Si i kalove pushimet? Është pyetja me të cilën udhëtarët përballen menjëherë me t’u kthyer. Gjithçka bëhet më argëtuese kur udhëtimi ka qenë në një vend të paeksploruar dhe veçanërisht emocionues. Por një studim i ri nga një revistë shkencore “Psychological Science” mund t’ju bëjë të rimendoni sesi t’ua  rrëfeni miqve aventurat më të bukura të udhëtimit. Studimi ka shqyrtuar diçka të quajtur “ndëshkimi i risisë” dhe rezultatet dolën krejt të kundërta me atë çka kishin parashikuar folësit apo dëgjuesit. Doli që ndërsa kënaqemi duke rrëfyer histori rreth përvojave të reja, dëgjuesit nuk i vlerësojnë ato, duke preferuar të dëgjojnë histori të njohura rreth gjërave që i kanë përjetuar edhe vetë. Studimi i përfshiu folësit të shihnin një video të shkurtër. Atyre iu kërkuar  më pas t'ua rrëfenin  përmbajtjen e videos dëgjuesve, disa prej të cilëve e kishin parë videon, ndërsa të tjerët jo. Folësit pritej të merrnin një “bonus risie” nga dëgjuesit që nuk e kishin parë, por ndodhi se ata që u kënaqën më shumë nga dëgjimi ishin ata që kishin parë videon.
Arsyeja për këtë ka pak të bëjë me xhelozinë, siç mund të hamendësoni dhe më shumë me mënyrën tonë plot  të meta për të rrëfyer histori.
 
“Historitë lënë jashtë  shumë informacion dhe dëgjuesit mund të kuptojnë një histori vetëm nëse kanë një njohuri të zgjeruar që i lejon të mbushin boshllëqet informative të historisë”, sipas revistës.
Sipas kësaj logjike, njerëzit mund të preferojnë historinë tuaj rreth vizitës tek gjyshërit ndaj asaj epikes së ngjitjes në luginën e shenjtë në Peru, sepse mendërisht mund të mbushin detajet që ju lini jashtë. Ndërsa dëgjuesit mund të jenë fillimisht më të zellshëm për të dëgjuar rreth destinacioneve të largëta që nuk i kanë vizituar kurrë, vështirësitë  që keni për të rrëfyer si duhet  rezulton në një provojë jo shumë të kënaqshme për ta.
Dhe shprehja legjendare “Duhet të ishe atje!” nuk mund të ishte më e vërtetë.
Por, përpara se të ktheheni në zyrë prej udhëtimit të fundit, ka një mënyrë që të siguroheni se njerëzit nuk do e urrejnë historinë tuaj.
 
“Një nga arsyet më të rëndësishme pse njerëzit dëgjojnë historitë e njëri-tjetrit është që të përftojnë informacione të reja, të mësojnë rreth qyteteve ku nuk kanë qenë kurrë, libra që nuk i kanë lexuar dhe ushqime që nuk i kanë shijuar” sipas Psychological Science.
Kjo do të thotë se ka shpresë. Njerëzit duan të mësojnë nga historitë tuaja. Çfarë duhet të bëni është të punoni në një balancë mes së resë dhe të relatueshmes. Historitë e reja janë më interesantet kur rrëfehen mirë, por priresh të humbasësh njerëz duke hamendësuar se ata dinë më shumë se ç’duhet,  duke lënë jashtë informacionet bazë.
“Dyshojmë se folësit shpesh shqetësohen shumë se mos i bezdisin dëgjuesit e tyre dhe jo aq shumë se mund t’i hutojnë” , kanë deklaruar studiuesit. Kështu që, herën tjetër kur të nisësh raportimin për bredhjet nëpër botë, ngadalëso ritmin. Mendo rreth gjërave që do kishe dashur të dije përpara se të shkoje atje dhe mos u kurse në detaje!