
Ngjyra që i gjen vetëm në parajsat tropikale, por dhe argëtim, ekskursione, zhytje, blerje, restorante ndërkombëtarë dhe jetë nate. Përtej sombrerove dhe tekilës, të ndjekur nga fantazma e Frida Calho-s, në zbulim të Playa del Carmen…
Nga Iva Tiço
Ngjyra që i gjen vetëm në parajsat tropikale, por dhe argëtim, ekskursione, zhytje, blerje, restorante ndërkombëtarë dhe jetë nate. Përtej sombrerove dhe tekilës, të ndjekur nga fantazma e Frida Calho-s, në zbulim të Playa del Carmen…
Të zbresësh shkallët e avionit në një ditë dimri tek në fytyrë të përplaset një puhizë e ngrohtë, është një nga ndjesitë më të pazakonta që kam provuar. Të duket sikur ke hipur në një makinë kohe, e cila të shpie, sakaq, nga shiu i zymtë I Tiranës në një buzëmbrëmje vere. Edhe këtë fund shkurti, ndërsa dal me nxitim nga avioni i akullt i “Lufthansa”-s, në aeroportin e Kankunit, më kujtohet kjo ndjesi e provuar tre vjet më pare në ishujt Seycheles. Por ja që Meksika, ndryshe nga grupi i ishujve në Oqeanin Indian, është një makineri turizmi, me aeroport të madh, të mbyllur e me ajër të kondicionuar, që nuk të lë ta kuptosh shumë ndryshimin dimër – verë. Ky nuk është ndryshimi i vetëm me parajsat e Karaibeve në grupin e ishujve përballë: sa më shumë makina i largohet aeroportit në drejtim të Playa del Carmen, aq më shumë të krijohet ndjesia se je në një vend “të pasur”: asnjë fshat me shtëpi të ulëta ndanë rrugës, asnjë lagje me baraka dhe në rreth një orë udhë drejt jugut, në të majtë të rrugës nuk e sheh detin as edhe një herë të vetme. Në vend të tij, syri të zë vetëm tabela resortesh. Ndërsa ne nuk kemi zgjedhur një të tillë, sepse më tepër sesa të mbyllemi brenda një resorti që të ofron vetëm luks dhe plazh, preferojmë vilat apo apartamentet me qira, ku ke mundësi të bësh jetën e vendit, në të cilin ke shkuar. Por këtë herë, për herë të parë, nuk kemi një vile me plazh privat, të rrethuar e të shkëputur nga “qytetërimi”, por një apartament të madh dupleks, brenda një rezidence. Nuk kemi marrë as makinë me qira, sepse shtëpia gjendet në një rrugë që gëlon nga baret e restorantet, vetëm dy blloqe larg detit dhe disa plazheve.
Një Fifth Avenue meksikane
Quinta Avenida, në nderim të adashes së saj njujorkeze, The Fifth Avvenue, është ndërtuar për t’u bërë një nyje e forte ekonomike dhe kulturore, me zhvillimin e shumë dyqaneve, që nga suvenirët e pafund e deri te qendrat tregtare me markat më të njohura. Rreth e rrotull kësaj rruge vetëm për këmbësorë, dy blloqe larg detit, gjenden dhe pikat e ndryshme për të rezervuar ekskursionet nëpër pikat turistike historike apo argëtuese dhe qindra bare, lokale nate dhe restorante. Në po këtë rrugë gjenden dhe hotele të vegjël, butikë, apo hostel-e. Playa del Carmen është një qytet që shtrihet përgjatë detit të Karaibeve, në shtetin Quintana Roo. Është një nga zonat më njohura për turizmin në Meksikën lindore, për shkak të pozitës gjeografike në Riviera Maya, që shtrihet nga jugu i Kankunit e deri në Tulum. Fillimisht një qytet i vogël peshkimi, turizmi në Playa del Carmen nisi me shërbimin e transportit të turistëve drejt ishullit Cozumel, një nga destinacionet më të famshme në botë për scuba diving. Playa del Carmen, së fundmi ka marrë një zhvillim të shpejtë me ndërtimin e lagjeve të reja rezidenciale, restoranteve, butikëve dhe vendeve të argëtimit. Plazhe të shumta shtrihen përgjatë gjithë bregut. Disa rreshta me shezlongje në plazhin Mamitas, më të famshmin e zonës, çmimi i të cilëve shkon rreth dyqind pesos çifti (rreth 11 dollarë), pastaj, fill pas tyre e deri në breg të detit nis hapësira publike, ku me qindra njerëz hapin peshqirët dhe ngulin çadrat e tyre; edhe përballë resorteve luksozë, sepse në Meksikë, uji dhe rëra janë për të gjithë.
Një ndalesë në Cozumel
Disa objekte në det, në fund të horizontit, ditën e parë mund të të duken si anije-kroçerë. Pastaj, kur e sheh që nuk lëvizin, kupton që janë ndërtesa shumëkatëshe. Kur merr informacion, mëson që ato janë ndërtuar në ishullin Cozumel, ishulli më i madh përballë gadishullit të Hukatanit. Disa linja tragetesh ofrojnë udhëtimin nga Playa del Carmen drejt ishullit
Cozumel, në një udhëtim që zgjat rreth gjysmë ore me një çmim bilete 10 dollarë amerikanë. Nëse ndodh që të të mbushet mendja për të shkuar aty rreth orës 12:00 të drekës (siç menduam unë dhe shoqja ime), atëherë e humbet ditën e plazhit, sepse në pjesën perëndimore të ishullit nuk ka plazhe. Ato gjenden në anën lindore, ku duhet të shkosh me taksi ose me motoçikleta me qira. Ishulli është rreth 40 kilometra i gjatë e 16 kilometra I gjerë dhe mund të të ofrojë shumë gjëra veç plazheve apo zhytjes dhe eksplorimit në ujë. Vizita në kryeqytetin San Miguel është një përvojë ia vlen. Nëse ke lënë pas një Playa Del Carmen të mbushur me turistë, këtu e ndien veten vërtet në një ishull të Karaibeve. Me përjashtim të ushqimit tipik meksikan apo grupit të mariaçëve që shoqëron margaritat e ngrira, peizazhi dhe ndërtesat të bëjnë të harrosh që je në Meksikë.
SI TE SHKOSH
Nuk ka fluturime direkt ne Meksikë, ato janë me tranzit nga Franfurti apo Stambolli.
Kohëzgjatja e udhëtimit nga Tirana fillon me 24 orë. Fluturimi nga Frankfurti apo Stambolli është 12 orë. Ndryshimi I orës – 6 orë. Stina më e përshtatshme: nga dhjetori deri në shkurt, kur klima
është e freskët, e thatë dhe me diell.
PER TE QENDRUAR
Zona me plazhet më të bukura është afër Cancun-it ose e quajtur Riviera Maya. Playa Del Carmen, Playa Paradiso, Tulum jane zonat me plazhet me te bukura. Akomodimet fillojne nga Hostel, B&B e deri tek hotelet dhe vilat luksoze. Agjencia Global Travel në Playa del Carmen rekomandon hotele pranë 5-ta Avenida: Aventura Mexicana, Riviera Maya Suites, La Tortuga Hotel.
PER ZBAVITJE
Qyteti Cancun për një pasdite shopping në fimrat më prestigjoze të botës. Ishulli Cozumel dhe Isla Mujeres, me target përkatësisht nga Playa del Carmen dhe Cancun. Xcaret, ekoparku I madh që bën bashkë xhunglën, detin, natyrën, kafshët dhe shfaqjet e rralla. Tulum, Coba, Chitzen Itza, rrënojat e qytetërimit Maja.